| Reportazh. Një ditë me fëmijët në Shkodër, jeta e të cilëve kalon mes rrëmimit për gjetjen e kanaçeve
Anila Dushi
SHKODËR- Sa më shumë kanaçe! Me këtë ide fikse ngulitur në kokë dalin çdo ditë nga shtëpia, pasi vetëm duke shitur ato mund të ushqehen e vishen. Kërkesa të tjera për shumë fëmijë të lagjeve të varfëra të Shkodrës janë luks i pamundur. Kanë ardhur nga zonat rurale, kryesisht nga fshatrat malorë kur ishin fare të vegjël dhe qyteti për ta ishte një ëndërr e bukur, por që si thonë edhe vetë, deri tani i ka zhgënjyer. Shumë prej tyre nuk shkojnë në shkollë, të tjerë bëjnë sikur shkojnë. Familjet e varfëra dhe prindërit e papunë presin nga ata bukën e gojës. Fitim që del nga tregtia e kanaçeve, rrëmuar mes mbeturinave në fushën e madhe të plehrave në Shkodër.
Mes plehrave
Në vendin e grumbullimit të mbeturinave urbane të qytetit të Shkodrës, sapo kalon Varrezat e Dëshmorëve, në kufirin ndarës të qytetit me komunën Gur i Zi, sheh fëmijë që gërrmojnë mes plehrave në kërkim të kanaçeve. Ndërsa makinat e pastrimit të qytetitshkarkojnë mbeturinat, ndërsa një tjetër mjet bën spostimin e tyre si dhe ngjeshjen, fëmijët i sheh tek vrapojnë pas këtyre mjeteve në kërkim të kanaçeve. Duhen plot 65 kanaçe që të bëhet një kilogram, që shitet më pas me 80 lekë. Teksa i afrohesh, shumë fëmijë mbulojnë kokën apo kthejnë shpinën që të mos njihen. Këta fëmijë kalojnë me orë të tëra mes mbeturinave, duke thithur ajrin e rëndë që lëshojnë ato dhe tymin që del nga djegia e tyre. Pasojat në shëndet janë gjëja e fundit që mund t'iu shkojë ndër mend. Ashtu të rrëmbyer nga puna, që më pas ka shpërblimin me pak lekë, as që e vrasin mendjen nëse mushkëritë e tyre mbushen plot helm. Kryesore është të mbijetojnë, të ushqehen, pa menduar për të nesërmen. Për familjet e tyre të varfëra ka vetëm të sotme.
Fëmijët
Ka nga ata që janë të vetmit që çojnë lekë në shtëpi. "Babi im nuk mund të gërmojë në plehra për të gjetur kanaçe, ai del çdo ditë tek sheshi "Isa Boletini"dhe pret nëse dikush e merr të punojë. Kanaçe mbledh unë". Kështu përgjigjet Mikeljani, 13-vjeçar,lindur në Pult të Dukagjinit e që para 8vitesh është vendosur në Shkodër. Emrin e lagjes, as ai vetë nuk di ta thotë, por tregon se shtëpinë e ka pas shinave të trenit. Në familjen e tij janë 5 fëmijë, tre djem dhe dy motra. "Erdhëm në qytet se atje në fshat nuk kishim tokë për të punuar, por vetëm një derr e dy dhi",- tregon ai, ndërsa shton se në fillim kishte ardhur xhaxhai i tij. Vëllai i tij i madh, Gjovalini është 16-vjeç, por është i sëmurë dhe nuk punon dot. Ndërsa Pjerini 8 vjeç dhe dy motrat, Emanuelën e Elizabetën janë përkatësisht 11 dhe 9-vjeçe. "Nëna rri në shtëpi dhe nuk punon, babai punon pak, ndërsa unë dal çdo ditë këtu ku hidhen plehrat dhe gërmoj për kanaçe. Ato i shes tek pika e grumbullimit, jo larg vendit ku del çdo ditë babai për të kërkuar punë, dhe paratë i merr babai",-thotë Nikolini. Me paratë e tyre, që shkojnë deri 600 lekë në ditë, jeton familjae tij, ndërsa 13-vjeçari nuk shkon në shkollë edhe pse shprehet se e do shkollën.
Ndarja e zonave
Fëmijët e kanoçeve ndajnë Shkodrën me zona
I dinë mirë zonat ku punojnë dhe nuk i hyjnë në hak njëri-tjetrit. Njihen fëmijët që mbledhin kanaçet në kazanët e mbeturinave në lagje. Të tjerë janë ata që rrëmojnë në fushën e madhe. "Pasdite nuk ka kanaçe, pasi ato mblidhen nga të tjerët, kështu që nuk mund të shkoj në shkollë",- thotë 13-vjeçari, që e quan veten me fat pasi e ka shtëpinë afër vendit të grumbullimit. Por, ka shumë të tjerë që u duhet të bëjnë rrugë të gjatë në kërkim të kanaçeve. Roberti e Alfredi,14 dhe 11-vjeç janë vëllezër dhe vijnë me biçikletë nga Blerani. Jetojnë me dy gjyshërit e moshuar dhe janë të detyruar ta nxjerrin vetë jetesën. Të tjerë "mbledhës kanaçesh" tregojnë se vijnë më së shumti këtu, pasi nëpër kazanë plehrash të lagjeve shkojnë të tjerë që i kanë shtëpitë pranë këtyre kazanëve."Këtu jemi më të sigurtë. Ka pasur raste që kanaçet janë marrë me forcë nga fëmijë të tjerë më të rritur e më të fortë, por ne nuk na ka ndodhur ndonjëherë",- thotë Mateoja, një 12-vjeçar që banon në lagjen "Mark Lula" , dhe që ka 7 vjet që ka ardhur këtu nga Telumi. Ai shton se nëna i ka punuar për disa kohë si pastruese në një shkollë, por më pas e hoqën, ndërsa është vetëm ai që siguron paratë me kanaçe. A.D
Rrëmues në shtim
"Dikur mblidhnim më shumë". Ky është një nga shqetësimet e fëmijëve, që tregojnë se me kalimin e kohës janë shtuar fëmijët që mbledhin kanaçe. "Më parë arrinim të grumbullonin kanaçe nga shitja e të cilave merrnin deri 800 lekë në ditë. Tani mblidhen shumë më pak kanaçe, pasi janë shumë që e bëjnë këtë",- thonë ata, duke shtuar se në shumë raste nuk gjejnë gjë, pasi ato janë marrë që në kazanët e lagjeve. Për shkollën, nuk kanë se ç'të thonë. Njëri prej tyre, Marseli, thotë se di të lexojë, porshkruan me gabime. Për momentin nuk shkon në shkollë. Jeta e tij janë kanaçet që mbledh dhe thasët që i vendos në karrocën e tij të dorës, për t'i çuar deri tek pika e grumbullimit të tyre.
|